Emërimi i Andrea Pirlos në krye të Kombëtares së Italisë është vënë në pikëpyetje pas polemikave që lidhen me angazhimin e tij si ambasador global i kompanisë ruse të basteve Fonbet, duke krijuar tensione edhe në drejtimin e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC).
Sipas raportimit të La Gazzetta dello Sport, drejtori teknik i Italisë, Paolo Maldini, e ka përzgjedhur Pirlon si pasues të trajnerit të larguar, me synimin për të nisur një cikël të ri pas dështimit të tretë radhazi të “Azzurrëve” për t'u kualifikuar në Kupën e Botës. Megjithatë, presidenti i FIGC-së, Giovanni Malagò, ka kërkuar verifikime shtesë mbi lidhjet e Pirlos me kompaninë Fonbet dhe me presidentin e United FC, Sergey Lomakin.
Po sipas medias italiane, Maldini kishte pranuar postin vetëm pasi kishte marrë garanci se do të kishte fjalën kryesore në përzgjedhjen e trajnerit të ri. Për këtë arsye, nëse emërimi i Pirlos dështon, nuk përjashtohet mundësia që edhe vetë Maldini të tërhiqet nga detyra.
Në këtë situatë rol të rëndësishëm mund të luajë Leonardo, i cili aktualisht është këshilltar i projektit. Ai mund të shërbejë si ndërmjetës mes palëve në rast se negociatat për Pirlon nuk përfundojnë me sukses. Sipas raportimeve, Pirlo është duke negociuar ndërprerjen e marrëdhënies së tij me United FC, në përpjekje për të eliminuar pengesat që po vonojnë emërimin e tij në stolin e Italisë.