Konjufca: LDK dhe AAK po ofrojnë zgjidhje, PDK mbetet në të njëjtin Qëndrim
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka deklaruar se zgjidhja e ngërçit politik nuk mund të vijë përmes synimeve individuale të partive, por vetëm përmes kompromisit të përbashkët.
“Sa i përket Partisë Demokratike, u zhduk, nuk ka pasur shumë hapësirë për diskutim, meqenëse ata ndodhen në pozicione të njëjta, mendojnë që presidenti duhet të jetë i PDK-së. Por, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë mendimin e saj se mund të ketë një bashkëpunim sa i përket zgjedhjes të një presidenti i cili do të ishte përfaqësues për të gjithë, i cili do të ishte njëfarë lloj emëruesi i përbashkët i këtyre dy subjekteve politike. E po ashtu e përshëndes edhe qëndrimin e Aleancës, e cila, krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar kur refuzonin çfarëdo pjesëmarrje në seancë edhe mendonin që kuorumi vetëm duhet të bojkotohet, kësaj radhe po shprehin, po japin ide, të cilat ma merr mendja që i kontribuojnë zgjidhjes së kësaj krize në të cilën ndodhemi. Secili që jep ide, jo në drejtim të asaj qysh kemi me shku në zgjedhje, por në drejtim qysh kemi me i evitu zgjedhjet, është i mirëseardhur në Republikën e Kosovës”, tha ai.
Ai theksoi se zgjedhjet e shpeshta kanë lodhur qytetarët dhe kanë dëmtuar përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës, pasi, sipas tij, disa shtete po presin konstituimin e institucioneve të reja për të avancuar projekte dhe bashkëpunim me Kosovën.