Shtyrja e vizitës së komisioneres për zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos, në Kosovë për shkak të zhvillimeve politike po konsiderohet alarmuese për procesin integrues të vendit. Ish-diplomatët thonë se mungesa e stabilitetit politik dhe e prezencës aktive në skenën ndërkombëtare mund të ketë pasoja afatgjata për politikën e jashtme të vendit.
Ndërkaq, në PDK akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje se për shkak të mungesës së dialogut politik dhe bllokimit të institucioneve po dërgojnë sinjal negativ te partnerët ndërkombëtarë. Mirëpo, në partinë në pushtet theksojnë se Kosova do të mbetet e përkushtuar në proceset euro-integruese pavarësisht krizës politike me rastin e moszgjedhjes së presidentit.
“Po i shohim ndryshimet politike që po ndodhin me një shpejtësi marramendëse dhe të mos jesh prezent në tavolina si qeveri e Kosovës dhe strukturë politike vendimmarrëse është humbje. Në politikën e jashtme, t’ju them të drejtën, një vit mund të kushtojë deri në pesë vjet pastaj. Ne po i vërejmë mungesat dhe mangësitë që i kemi pasur në politikën e jashtme këtyre viteve dhe sa po i bartin tani. Absolutisht ka pasoja marramendëse dhe ato mund të jenë të ndryshme, varësisht prej zhvillimeve që ndodhin në Evropë dhe botë… Tani për tani e kemi të paqartë se cilat janë objektivat tona. Absolutisht është një situatë tejet e rëndë që thjesht duhet të shkojë në konton e politikanëve për papërgjegjësi politike”, thotë ai.
Ndërsa, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu, vlerëson se situata aktuale politike po dërgon sinjale negative për partnerët ndërkombëtarë. Ajo thekson se bllokimi i institucioneve dhe mungesa e dialogut politik ndikojnë drejtpërdrejt në besimin që aleatët kanë ndaj Kosovës dhe në procesin e integrimit evropian.
Por këto pretendime i konsideron të paqëndrueshme deputeti i LVV-së, Driton Hyseni. Ai thotë për KosovaPress se shtyrja e vizitës së komisioneres Kos nuk duhet parë si ndonjë kushtëzim apo sanksion ndaj Kosovës, por si një mesazh për nevojën e stabilitetit institucional. Sipas tij, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së integrimeve evropiane dhe vizita e komisioneres është shtyrë për një moment më të favorshëm.
“Kosova është e përkushtuar plotësisht drejt integrimeve evropiane dhe nuk kemi adresë tjetër. Ne si vend edhe e kemi shprehur, por edhe kemi bërë angazhimin maksimal drejt avancimit të proceseve tona integruese. Dhe vizita e komisioneres Marta Kos, e cila ishte planifikuar për nesër, nuk është anuluar. Të jemi të sinqertë, por është shtyrë për një moment, le të themi, më të favorshëm sipas deklarimeve në Bruksel. Dhe unë konsideroj që përveç një mesazhi politik apo një mesazhi diplomatik që neve na e përçon një nevojë që si zyrtarë të shtetit të angazhohemi maksimalisht që të kemi një stabilitet politik, të kemi institucione të qëndrueshme dhe të shkojmë me hapa të sigurt drejt përzgjedhjes së atyre detyrave, atyre pozicioneve që ka nevojë shteti i Republikës së Kosovës t’i ketë. Në aspektin tjetër, nuk është se paraqet ndonjë, le të themi, kushtëzim, ose sanksionim, ose çfarëdo interpretimi tjetër që mund t’i jepet, sepse kemi të bëjmë me një shtyrje të një vizite”, thotë ai.