Për një vit, kostoja e jetesës është rritur për 19.8 për qind. Enti Shtetëror i Statistikave në Maqedoni të Veriut, ka bërë të ditur se nga tetori i vitit të kaluar e deri në të njëjtin muaj të këtij viti, vetëm shpenzimet ushqim janë rritur për 31.2 për qind. Por, pavarësisht të dhënave zyrtare, qytetarët thonë se çmimet e produkteve ushqimore bazë janë 100 për qind më të larta.
Buka, e cila vitin e kaluar shitej për tridhjetë denarë, tani e kalon shumën e një eurove, vaji i gatimit nga 55-60 denarë, tani është ka arritur në rreth 130 denarë, e njëjta gjë vlen edhe për qumështin, sheqerin, miellin.
“Që është rritur kostoja e jetesës vërtetohet edhe nga përllogaritja e fundit e shportës konsumatore minimale sindikale, e cila tregon se pjesa më e madhe e buxhetit familjar është për blerjen e ushqimeve dhe pagesën e shpenzimeve të përgjithshme”, raporton Ile Petrevcski, gazetar i Alsat.
Shporta konsumatore sindikale ka tejkaluar 51.500 denarë për një familje katër anëtarëshe. Përllogaritjet e sindikatës thonë se për blerjen e produkteve bazë ushqimore nevojiten afro 20 mijë denarë, ndërsa për shlyerjen e faturave rreth 13.000 denarë.
“Nëse vendimet e Qeverisë nuk respektohen nga tregtarët, në atë rast përdoren dispozitat për sjellje të pandershme dhe mashtruese nga Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe pasojnë masa penale përkatëse ose masa më të rrepta si ndalimi i punës nga tre muaj deri në dy vjet”, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë.
Në shtete rajonit, ku një pjesë e tyre janë anëtare të Bashkimit Evropian, dhe qytetarët atje fitojnë dyfish dhe më shumë se banorët e Maqedonisë, ende nuk ka rritje të tillë të çmimeve të produkteve bazë./Alsat.mk