Krimi në Ferizaj, kërkohet shtimi i sigurisë në Qendrat për Punë Sociale
Lexohet për: 3 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Vrasja e djeshme e 21-vjeçares në Ferizaj tronditi të gjithë qytetarët e Kosovës. Erona Cokli, 21-vjeçe, dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj në Qendrën për Punë Sociale, aty ku konsiderohet që siguria duhet të jetë në nivel. Derisa, ky rast vuri në pah parregullsitë që lidhen me çështjet e sigurisë në këto qendra. Ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Prishtinë, Vebi Mujku në një prononcim për KosovaPress tha se në këto institucione mungon siguria fizike e klientëve dhe stafit. Ai potencoi shumë raste kur stafi i QPS-së ballafaqohet me sulme fizike e kërcënime me armë për shkak të mungesës së kontrollit. Mujku kërkon ndërmarrjen e hapave urgjentë në këtë drejtim, për çka përmend nevojën e sigurimit fizik dhe të bëhet një rregullore e re.

Rastet e vrasjes ndaj grave në Kosovë janë të shpeshta. Ndër arsyet që çojnë deri në këtë akt, Mujku përmend se burrat edhe pas ndarjes i shohin gratë si pronë të tyre.  Ndërsa për vrasjen e djeshme, për të cilën u raportua se dyshohet se ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjes për marrjen e kujdesit ndaj fëmijës së tyre njëvjeçar, Mujku tha se domosdo interesi më i mirë i fëmijës është që të qëndrojë te nëna. Për KosovaPress, Mujku thekson se diferenca në moshë prej 15 vjetësh në mes të dorasit dhe viktimës mund të jetë një faktor tjetër i mundshëm të ketë kontribuuar në aktin e djeshëm.

Po ashtu, edhe sociologu Genc Xërxa mendon se në Kosovë ende funksionon sistemi patriarkal, ku burrat i shohin si rob gratë e tyre. Ndër shkaktarët që çojnë deri në vrasje, Xërxa përmend sistemin e vlerave, emancipimin e shoqërisë dhe çalimin e institucioneve për sigurimin e Qendrave për Punë Sociale.

Ndryshe, autorit të dyshuar të vrasjes makabre dhe plagosjes së një 15-vjeçari në Ferizaj i është caktuar masa e paraburgimit një muaj. Ndërkaq, vëllai i mitur i viktimës është liruar sot nga spitali. Ndërkaq, trupi i pajetë i viktimës, dje (e premte) është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Policia e Kosovës ka deklaruar se ende nuk dihen motivet e vrasjes./Z.Zeneli/  

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024