Krimi dhe heshtja, aktakuzë ndaj dy personave në Prizren
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për shitblerje të narkotikëve
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve E.A., (shtetas turk), dhe H.B., (shtetas kosovar), të cilët gjenden nën masën e paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor”, “Mosdhënia e ndihmës”, si dhe veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri E.A., me datë 06.07.2024, rreth orës 23:50 min, në Prizren, me anë të mjetit të rrezikshëm, i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë shkakton vdekjen e tij.

“Paraprakisht takohen me viktimën A.Th., nga Prizreni në lagjen ‘’Kurillë’’, me ç’rast viktima ia kërkon telefonin të pandehurit me qëllim që ta njoftojë shokun e tij – të pandehurin tjetër H.B., dhe pasi që ky i fundit vjen me veturën e tij në lokacionin në fjalë, i pandehuri ulet në ulësen e pasme të automjetit, derisa viktima në ulësen e përparme dhe pas një konfrontimi verbal me njëri – tjetrin, dalin nga vetura, me ç’rast  i pandehuri me përdorimin e një mjeti të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës, duke i shkaktuar plagë therëse, të konstatuara si në Raportin e Autopsisë – të datës 31.10.2024, dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ku për pasojë, viktima nga plagët e pësuara, pasi fillimisht pranon ndihmën mjekësore pranë Qendrës Emergjente në Prizren, dërgohet më pas pranë QKUK-së në Prishtinë, ku si pasojë e shokut hemorragjik edhe ndërron jetë. Me këto veprime, i pandehuri E.A., ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” sipas KPRK-së. Ndërsa, i pandehuri H.B., me datë 06.07.2024, rreth orës 23:55 min, në Prizren, nuk i ofron ndihmë personit, jeta e të cilit ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për veten, në atë mënyrë që pasi ishte duke e bartur viktimën A.Th., në veturën e tij, duke e ditur se ky i fundit ishte plagosur rëndë me mjet të rrezikshëm nga i pandehuri E.A., nuk e dërgon të njejtin pranë ndonjë institucioni të kujdesit shëndetësor, e lejon të dalë nga vetura dhe e lë në rrugë – në afërsi të rrethit të lagjes “Bazhdërhane” në Prizren dhe vazhdon rrugën me veturën e tij në drejtim të lagjes “Ortakoll”, ku si pasojë e plagëve të pësuara, përkatësisht  si pasojë e shokut hemorragjik viktima edhe ndërron jetë pranë QKUK-së në Prishtinë. Po ashtu, i njëjti duke qenë në dijeni për identitetin e kryesit të veprës penale të lëndimit të rëndë trupor, nuk e njofton organin kompetent për një fakt të tillë, në atë mënyrë që pasi ka qenë në dijeni si dëshmitar okular në kryerjen e veprës penale nga E.A., megjithatë refuzon që ta njoftojë policinë apo organin tjetër kompetent lidhur kryerjen e veprës penale dhe identitetin e kryesit të saj. Në këtë mënyrë, i pandehuri H.B., ka kryer veprat penale “Mosdhënia e ndihmës” dhe “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” sipas KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024