Krerët shtetërorë: Rënia e Zahir Pajazitit me shokë një prej ditëve më të lavdishme të historisë së UÇK-së
Lexohet për: 3 min.
Albini-Vjosa-3100123
1 vit më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe ministra të kabinetit qeveritarë, kanë bërë homazhe te shtatorja e heroit, Zahir Pajaziti në Prishtinë, me rastin e 26 vjetorit të rënies së tij, së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.

Presidentja Osmani, tha se rënia e Zahir Pajazitit me shokë është një prej ditëve më të lavdishme të historisë së UÇK-së.

“Në këtë 26 vjetor të rënies së heronjve tanë i përkujtojmë si lajmëtar të lirisë, i përkujtojmë për frymëzimin e jashtëzakonshëm që dhanë Zahiri me shokë për gjithë ushtarët e UCK-së. Për të gjithë ata që luftonin së bashku me Zahirin duke iu dhënë frymëzim më të madh, por edhe për të gjithë të tjerët që iu bashkuan UÇK-së edhe pas rënies së tyre. Kjo ditë është një prej ditëve më të lavdishme të historisë së UÇK-së dhe  gjithë Republikës së Kosovës. Republikë e cila u ndërtua për shkak të themeleve të forta dhe ato mbesin të tilla pasi janë ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve dhe heronjve tanë”, tha ajo.

Ndërkaq, kryeministri Kurti, tha se Zahir Pajaziti me shokë ishin kushtrimi për luftë çlirimtare. Ai shtoi se kujtimi për ta, tregon sa i madh ishte çmimi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Ata ishin kushtrimi për luftë çlirimtare, por njëkohësisht ishin edhe pararendës të UCK-së, pasi ata kryenin aksione çlirimtare edhe para se të fillonte lufta. Duke kujtuar dhe përkujtuar komandantin Zahir Pajaziti dhe dëshmorët e tjerë të kombit, në  të njëjtën kohë tregojmë se sa i madh ishte çmimi për lirinë tonë, shtetin tonë dhe pavarësinë tonë. Po ashtu sa i vlefshëm është për të tashmen dhe ardhmen tonë ky kujtim dhe përkujtim që bëhet si nga institucionet, po ashtu edhe nga qytetarët e vendit tonë”, theksoi ai.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se sakrifica e Zahir Pajazitit me shokë është udhërrëfyes për Kosovën.

“Në një ditë si kjo e sotmja është e rëndësishme të kujtohet sakrifica e tre heronjve që po përkujtojmë sot. Të gjithë ushtarët trima të UCK-së, gjithë ata që rezistuan në format më të ndryshme deri në lirinë e Kosovës. Por është edhe më e rëndësishme që kjo sakrificë të jetë udhërrëfyesi ynë në punët e shumta që kemi për të bërë çdo ditë”, shtoi ajo.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025