Krerët e shtetit nderimet dhe homazhet në 15-vjetorin e pavarësisë së Kosovës i kanë vazhduar edhe tek Kompleksin Memorial “Adem Jashari. Nga aty thanë se lirisë dhe pavarësisë së Kosovës iu vunë themelet e forta në Prekaz dhe se ky vend është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare.
Nga aty presidentja e vendit, Vjosa Osmani u shpreh se duke bërë homazhe në Prekaz kujtojnë sakrificën e familjes Jashari që me guxim dhe trimëri i vuri themelet e forta të shtetit të Kosovë.
Por theksoi se rruga e Kosovës është rruga euroatlantike.
“Në këtë 15 vjetor të pavarësisë së Republikës sonë kujtojmë sakrificën e të gjithë atyre që dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre në mënyrë që populli i Kosovës të jetoj i lirë dhe i pavarur. Jemi këtu sot me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin e vendit për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, trimërinë dhe guximin e tyre nëpërmjet të cilëve dhe u vënë themelet e forta të shtetit tonë, kurse pak më herët natyrisht nderuam edhe presidentin historik, Ibrahim Rugova arkitektin e shtetit të Kosovës, veprimtarin Adem Demaçin… Plagët në Kosovë akoma janë të thella përderisa bëjmë përpjekje të pareshtura dhe punë të çdoditshme që t’i gjejmë më të dashurit tanë. Por, sot është edhe një ditë shprese për shkak se Kosova jo vetëm që është vendi me qytetarët më të rinj për nga mosha është edhe shteti më i ri në Evropë me një rrugë të qartë përpara. Ajo rrugë është rruga euroatlantike dhe familja euroatlantike është aty ku Kosova e ka vendin dhe ku do ta gjejë vendin e saj shumë shpejt”, tha Osmani.
Ndërsa theksoi se momenti më i lavdishëm i kësaj lufte ishte lufta e familjes Jashari.
“Pavarësia dhe liria jonë ka qenë e pamundshme pa luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e momenti më i lavdishëm i luftës çlirimtare të popullit tonë ka qenë lufta e Jasharajve, e Prekazit kundër Serbisë për çlirim dhe rënia e flijimi i familjes Jashari. Sakrifica e Jasharajve e ka ngritur në dimension tjetër edhe kombin shqiptar, por në anën tjetër e ka zgjuar botën dhe e ka tronditur ndërgjegjen ndërkombëtare dhe prej atij momenti nuk ka pasur askush dyshim që liria për popullin shqiptar dhe liria e Kosovës është e pashmangshme. Prandaj, gjithmonë do të vijmë këtu që të përkulemi përpara kësaj sakrifice madhështore e cila do të kujtohet gjithmonë nga brezat të vijnë”, u shpreh Konjufca.
Ai deklaroi se teksa sot festohet përvjetori i pavarësisë së Kosovës kujtohen me mall e krenari ata që u vetëmohuan dhe sakrifikuan për lirinë e vendit.
“Prishtina është kryeqyteti i Republikës por Prekazi është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare andaj ardhja jonë këtu në këtë ditë kaq të rëndësishme për popullin dhe historinë tonë tregon se rruga jonë përpara gjithmonë e ka në mendje dhe në kujtesë çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë që gëzojmë”, tha Kurti.