Krerët shtetërorë kërkojnë drejtësi për viktimat e masakrës së Reçakut
Lajme
Lexohet për: 3 min.
AKADEMI-REQAKU
2 orë më parë
Linku u kopjua

Krerët shtetërorë të Kosovës kanë kërkuar drejtësi për viktimat e masakrës së Reçakut. Në akademinë përkujtimore, në 26 vjetorin e kësaj masakre, u theksua nevoja që gjykimi dhe ndëshkimi kriminelëve që vranë 45 civilë të pafajshëm në Reçak të ndodh, qoftë edhe në mungesë të tyre.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se Reçaku është pjesë e identitetit kombëtar dhe synim i vazhdueshëm për të mbrojtur shtetin e pavarur të Kosovës të pavarur.

Ajo tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po vazhdon të mohojë masakrën e Reçakut, siç theksoi ajo, në kohën kur njerëzit po masakroheshin në vitin 1999, ai i arsyetonte ato nën petkun e ministrit të Informacionit.

“Ne nuk do të harrojmë kurrë Reçakun dhe të vërtetën që përfaqëson. Ai është pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe synim i vazhdueshëm për të mbrojtur shtetin tonë të pavarur, sovran dhe demokratik. Nuk duhet të ndalemi asnjëherë së treguari këtë të vërtetë. Çdo ditë, në çdo forum, kudo në botë duhet të dëshmojmë se në vitet 1998-99 populli i Kosovës mbrojti pragun e shtëpisë nga regjimi gjenocidal i Serbisë", tha ajo.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti tha se gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve të masakrës së Reçakut duhet të ndodh, qoftë edhe në mungesë të tyre.

“Ajo çka duhet të ndodh për pasojë është drejtësia. Gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve, qoftë edhe në mungesë. Në vitet 1998-1999 thuhej se përfundojë beteja por jo edhe lufta. Në raport me Serbinë tash duhet të thuhet e kundërta. Ka përfunduar lufta, por jo edhe beteja. Ka mbaruar lufta për çlirim por edhe jo beteja për drejtësi”, theksoi Kurti.

I pranishëm në këtë akademi ishte edhe ambasadori William Walker, ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, që dokumentoi para botës gjenocidin serb në Kosovë.

Ai tha se masakra e Reçakut përfaqëson të kaluarën e tmerrshme që Serbia ka bërë në Kosovë, por edhe të ardhmen e ndritshme që do të ketë Kosova.

Para të pranishmëve ai tha se me kënaqësi ka pranuar kërkesën e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti për të marrë nënshtetësinë e Kosovës.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se Reçaku është rikujtim i përhershëm se liria ka pasur çmimin e madh.

Drejtësi për viktimat e masakrës së Reçakut kërkuan edhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta.

Osmani, Kurti por edhe liderë të tjerë partiakë kanë bërë homazhe sot te Kompleksi Memorial në Reçak.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025