Krasniqi viziton shoqatën “Down Syndrome Kosova”
Lexohet për: 2 min.
Memli Krasniqi
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi gjatë një vizite sot në shoqatën “Down Syndrome Kosova”, tha se personat me sindromën Down meritojnë kushte më të mira dhe një jetë më të dinjitetshme.

Krasniqi tha se Partia Demokratike e Kosovës, edhe nga pozicioni opozitar, do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e politikave të nevojshme për të gjithë personat me sindromën Down, për zbatimin e të drejtave të tyre, të cilat burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet tjera të Kosovës.

“Në Ditën Botërore të sindromës Down, sot vizitova shoqatën “Down Syndrome Kosova”, ku pashë nga afër aktivitetet dhe punën e jashtëzakonshme që ka bërë kjo shoqatë në avokimin dhe ngritjen e vetëdijesimit për nevojat e personave me sindromën Down. Ata janë pjesë e kësaj shoqërie që duhet t'i mbështesim çdo ditë, jo vetëm me mekanizma ligjorë, por edhe duke ua hapur perspektivën përmes krijimit të kushteve më të favorshme për ta”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai shtoi se përkrahja për fëmijët me sindromën Down dhe familjet e tyre, nuk duhet të mungojë asnjëherë.

Ndryshe, sot është Dita Botërore e Sindromës Down.   Nuk dihet ende pse ndodh, por sindroma Down ka qenë gjithmonë një pjesë e gjendjes njerëzore. Ajo ekziston në të gjitha rajonet anembanë globit dhe zakonisht rezulton në efekte të ndryshueshme në stilet e të mësuarit, karakteristikat fizike dhe shëndetin.

Cilësia e jetës së njerëzve me sindromën Down mund të përmirësohet duke plotësuar nevojat e tyre për kujdesin shëndetësor, duke përfshirë kontrolle të rregullta me profesionistë shëndetësorë për të monitoruar gjendjen mendore dhe fizike dhe për të ofruar ndërhyrje në kohë, qoftë fizioterapi, terapi profesionale, terapi të folurit, këshillim apo edukim special.

Personat me sindromë Down vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme në të gjitha aspektet jetësore, të cilat u pamundësojnë atyre jetën e dinjitetshme dhe realizimin e të drejtave të tyre të cilat burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet tjera të Republikës së Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025