Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar të premten dy komunat e pjesës veriore të Kosovës, Zveçanin dhe Zubin Potokun.
Kryetari Krasniqi ka takuar kryetarët, Ilir Pecin dhe Izmir Zeqirin si dhe ekipet e tyre ku u njoftua për sfidat e përditshme në këtë pjesë të Kosovës.
Më tej thuhet se duke parë nga afër gjendjen e qytetarëve në komunën e Zveçanit dhe mungesën e mbështetjes nga niveli qendror, Kryetari Krasniqi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos diskriminoj dy komunat që udhëhiqen nga radhët e PDK-së, por t’i trajtoj ato në mënyrë të barabartë.
“U njoftova për sfidat dhe kërkesat e shumta, veçanërisht të banorëve shqiptarë të tri fshatrave Kelmend, Zhazhë e Boletin. Ftoj Qeverinë e Kosovës që me urgjencë dhe prioritet të miratoj kërkesat e qytetarëve të kësaj komune për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve të cilët dëshirojnë të kthehen në fshatrat dhe vatrat e tyre”, ka thënë kryetari Krasniqi.
“E falënderoj Kryetarin Krasniqi, si lideri i vetëm politik nga Prishtina që na ka vizituar dhe i cili që nga marrja e mandatit ka qenë pranë nesh për të na mbështetur në punën tonë në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës së Zveçanit”, ka thënë Peci.
Pas Komunës së Zveçanit, Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka vizituar edhe Komunën e Zubin Potokut, ku ka takuar Kryetarin Izmir Zeqiri, kabinetin e tij dhe qytetarët e kësaj komune.
Ndërkaq, Kryetari Krasniqi tha se është vërtetë domethënëse dhe për t’u vlerësuar nga të gjithë fakti që, në mënyrë të veçantë shqiptarët e kësaj komune, të koncentruar në fshatin Çabër, kanë vazhduar dhe po vazhdojnë që përkundër sfidave të qëndrojnë e jetojnë aty dhe të zhvillojnë jetën institucionale.
“Shfrytëzoj rastin që të ftoj dhe t’i kërkojë Qeverisë së Republikës së Kosovës, që vërtetë të ketë një qasje ndryshe dhe shumë më përkrahëse për këta zyrtarë shtetërorë të cilët po punojnë pa ndalur në Komunën e Zubin Potokut, por edhe në komunat tjera në pjesën veriore të vendit”, ka thënë Kryetari Krasniqi.
Lideri i Opozitës, Memli Krasniqi, në fund të këtij takimi i bëri thirrje të drejtpërdrejt Kryeministrit dhe ministrave tjerë të linjës që të vizitojnë komunat dhe qytetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, të adresojnë kërkesat e tyre dhe t’i mbështesin për zhvillimin e një jete të dinjitetshme sociale dhe institucionale atje.