Krasniqi për vrasjen e 21-vjeçares: Sot rëndësi kanë veprat e organeve të shtetit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas vrasjes së 21-vjeçares në Ferizaj dhe plagosjes së 15-vjeçarit, duke thënë se Kosova nuk guxon të shndërrohet në vend ku nuk ka ndëshkim maksimal. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se përtej fjalëve dhe thirrjeve, sot, rëndësi kanë veprat e organeve të drejtësisë dhe të gjitha mekanizmave të shtetit politik dhe administrativ. “Kosova nuk guxon të shndërrohet në një vend ku gratë vriten në mënyrë të ripërsëritur e ku nuk ka ndëshkim maksimal,” ka theksuar Krasniqi.
Postimi i plotë:
Emri i saj ishte Erona! Ajo ishte 21-vjeç dhe kishte një djalë. Jeta e saj, pa filluar ende mirë, sot iu shua nga ish-bashkëshorti i saj. Një tragjedi që shkakton shumë dhembje dhe e cila nuk mund të përmblidhet me fjalë. Fatkeqësisht, një krim që vjen dhe ripërsëritet muaj pas muaji në vendin tonë. Përtej fjalëve dhe thirrjeve, sot, rëndësi kanë veprat. Jo vetëm ato të organeve të drejtësisë, por të të gjitha mekanizmave të shtetit – politik dhe administrativ. Kosova nuk guxon të kthehet në një vend ku gratë shndërrohen në numra. Emri i saj ishte Erona. Ajo ishte 21-vjeç. Ngushëllimet më të thella familjes!