Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi ka shprehur serish shqetësimet e tij lidhur me masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke thënë se një gjë e tillë po e dëmton mirëqenien e qytetarëve të vendit.
Ai gjatë një takimi sot me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike në vend dhe perspektivën evropiane të Kosovës.Për PDK-në, ka shtuar ai, integrimi euro-atlantik është i pa alternativë dhe rruga e vetme përpara.
Ndryshe, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës dhe mosveprimi i qeverisë për të shtensionuar situatën, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
BE i kërkoi Kosovës të pezullojë operacionet policore, të bëhet zhvendosja e kryetarëve shqiptarë të komunave në zyra alternative dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.
Zyrtarë të BE-së kanë përsëritur, se heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Prishtina dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në veri.
Masat e tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) si dhe propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.
Masat e BE-së dhe agresioni në veri “trembin” investitorët e huaj - KosovaPress