Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për instrumentalizim të Policisë së Kosovës në veri për qëllime elektorale.
Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se Kosova nuk duhet të ketë një “luftë” për kontroll territorial në veri, pasi nevojitet fitimi i një beteje politike dhe diplomatike, pasi pa aleatët ndërkombëtarë nuk mund të imponohet asgjë.
Krahas këtyre, kryetari i PDK-së kërkon që ri-integrimi i komunitetit serb në institucione në veri të ndodhë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën, ndërkaq kërcënimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq i konsideron vetëm shou politik.
Krasniqi potencon se ura e Ibrit nuk mund të hapet për qarkullim për automjete pa mbështetjen e partnerëve strategjikë të Kosovës. Sipas tij, një gjë të tillë e ka ditur edhe kryeministri Kurti, por për qëllime elektorale ka tentuar të fitojë ndonjë votë për zgjedhjet e 9 shkurtit.Duke folur për raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, Krasniqi thotë se të njëjtat janë në nivelin më të ulët për shkak të qasjes së gabuar së kryeministrit Kurti.