Krasniqi: Gjyqi të shpejtohet, mos na mbani kaq gjatë padrejtësisht në paraburgim
Lexohet për: 4 min.
Krasniqi-100522
2 vite më parë
Linku u kopjua

Ish-zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi është deklaruar i pafajshëm për akuzat e reja me të cilat po e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Ai ka mbajtur një fjalim në Hagë ku ndër të tjera ka thënë se akuzat janë të mbështetura vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë. Ai ka kërkuar përshpejtim të procesit gjyqësor dhe ka shtuar se po mbahet padrejtësisht në paraburgim.

I nderuar gjyqtar, zonja dhe zotërinj të të gjitha segmenteve të drejtësisë që jeni të thirrur të mbroni dhe të bëni drejtësi, kërkoj që të më kuptoni drejt, gjatë gjithë jetës sime kam qenë njeri me integritet në mënyrën me të qartë në raport me më të fortin, por me të dobëtin kurrë nuk kam shfaqur as shenja egërsie as përbuzje, veç dhembshurisë njerëzore. Padrejtësisë sado e rrezikshme që ishte dhe është edhe sot, se është nisur nga e njëjta logjikë që e kam jetuar në Jugosllavi nuk i jam përgjigjur me heshtje asnjëherë, sot po i them vetëm pak fjalë...”.

Kështu e ka nisur fjalimin e tij para Dhomave të Specializuara, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, derisa është paraqitur para gjykatësit të procedurës paraprake pasi prokuroria ka shtuar akuza ndaj tij nën pretendimin për krime lufte e kundër njerëzimit.

Pas leximit të akuzave të reja ndaj tij Krasniqi ka deklaruar se nuk ka asnjë lloj përgjegjësie për atë çka po e ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“E kam lexuar aktakuzën, dhe këtë shtesën e fundit, dhe mundem me thënë me bindje të plotë se e kam vështirë ta kuptoj edhe akuzën e parë edhe vazhdimin pasi jam i bindur se vepra të tilla kurrë nuk kam kryer në jetën time. Prandaj deklarohem krejtësisht i pafajshëm dhe natyrisht kërkojmë që gjyqi të shpejtohet dhe të mos na mbani kaq gjatë padrejtësisht në paraburgim”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka thënë se akuzat që po ngritën janë të mbështetura vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë.

“Kurrë nuk kisha besuar, sikur mos të ishte ky rast, se juristë të shkolluar në vendet me demokraci liberale, me traditë, që pretendojnë se punojnë në një sistem të drejtësisë kredibile, për të bërë drejtësi standarde guxojnë të ngritin një akuzë që mbështetet vetëm e vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë dhe e cila cenon rëndë jetën, lirinë, e të drejtën e individit, dhe jo vetëm të individit, madje ia godet tepër rend, e godet në palcë të kurrizit të drejtën e një populli për liri e shtetndërtim me një padrejtësi të madhe”, ka deklaruar Krasniqi.

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se ndjen turp pasi jeton në një kohë kur sipas tij me lehtësi shkatërrohet jeta e njerëzve të cilët guxuan të luftojnë për liri e pavarësi.

“Mua më vjen turp se pse po jetoj në këtë kohë të këtij lloj homosapiensi që me kaq lehtësi ua shkatërron jetën njerëzve dhe familjeve që guxuan të luftojnë për jetën në liri, për demokracinë e pavarësinë, një regjim ndër më kriminelët e pas Luftës së Dytë Botërore, madje në atë kohë nuk besoj se në botë ka pasur një regjim të tillë kriminal e gjenocidial sa e si ishte regjimi i Millosheviqit të cilit nuk po i mungon as qimja e flokut”, ka thënë ai.

Për akuzat e reja të ZPS-së janë deklaruar sot edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Para gjyqtarit të procedurës paraprake do të dalë edhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

Ish-krerët e UÇK-së po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa edhe në paraqitjet e tyre të para Dhomave të Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ndërsa më 29 prill 2022 ZPS ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër këtyre katër të akuzuarve.

https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bsot-ne-hage-paraqitja-e-metejshme-e-thacit-dhe-te-tjeret/
https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bthaci-deklarohet-i-pafajshem-thote-se-aktakuza-eshte-e-redaktuar/
https://kosovapress.com/admin/%e2%80%8bveseli-deklarohet-i-pafajshem-per-pikat-e-reja-te-aktakuzes-se-prokurorise/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024