Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se procesi i votimeve në tërësi është duke shkuar mirë.
Celibashi derisa ka treguar të dhënat për pjesëmarrje ka bërë thirrje autoriteteve të mos lejohen persona të paautorizuar në qendrat e votimit. Sipas tij, është e papranueshme që personat që kanë votuar të vazhdojnë të qëndrojnë në ambientet ku votohet.
Ai ka thënë se është e papranueshme që qytetarët, të cilët nuk kanë fare me qendrën e votimit ose ata që kanë votuar të rrinë brenda ambientit të votimit. Ai u ka bërë thirrje organeve kompetente të marrin masa për këtë çështje.
“Një çështje që dua të sjell në vëmendje të organeve ligj zbatuese, është prania e personave të paautorizuar në qendrat e votimit. Ne si KQZ e konsiderojmë këtë prani si intimitim depresion ndaj votuesve. Ndaj, është rasti që autoritet ligj zbatuese, duke filluar nga policia e shtetit, ta adresojnë këtë si shqetësim dhe të merren masat përkatëse. Është e papranueshme që qytetarët, të cilët nuk kanë lidhje fare me atë qendër të votimit ose kanë përfunduar procesin e votimit të vazhdojnë të rrinë në ambientet e brendshme ky votohet. Duhet të boshatisen menjëherë”, ka thënë Celibashi.
Në Shqipëri mbahen sot zgjedhjet lokale, ku rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.
Në këto zgjedhje garojnë rreth 140 subjekte politike. Gara do të jetë kryesisht mes Partisë Socialiste të Shqipërisë së Edi Ramës dhe Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki.
Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.
Beteja kryesore do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku ka gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërkaq, PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon./KosovaPress