Për herë të parë, nga proceset e ardhshme zgjedhore mediat do të lejohen të filmojnë numërimin e fletëvotimeve në vendvotime. Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valmir Elezi. Ai ka thënë se për zbatim më të lehtë, me kohë do të përgatitet edhe udhëzuesi për vëzhguesit me sqarime të detajuara.
“Po e ndaj këtu një lajm të mirë për mediat dhe transparencën e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Duke filluar nga proceset e ardhshme zgjedhore numërimi i fletëvotimeve në vendvotim mund të vëzhgohet nga mediat e akredituara, të cilat lejohen të filmojnë dhe fotografojnë. Transparenca është kyçe për besueshmërinë e qytetarëve në proceset zgjedhore dhe ky është një hap i madh nga KQZ. Një falënderim për të gjithë anëtarët e KQZ-së që mbështetën propozimin që kjo të përfshihet si një nen i veçantë në Rregulloren Zgjedhore Vëzhguesit e zgjedhjeve. Për zbatim më të lehtë, me kohë do të përgatitet edhe Udhëzuesi për Vëzhguesit me sqarime të detajuara”, ka thënë Elezi.