KQZ publikon qendrat e votimit për shkarkimin ose jo të kryetarëve në veri
Lexohet për: 2 min.
KQZ
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur qendrat e votimit në të cilat nesër votuesit do të kenë mundësinë të votojnë pro ose kundër shkarkimit të katër kryetarëve shqiptarë në veri të Kosovës. Pasi 33 institucione arsimore refuzuan t’i ofrojnë objektet e tyre për votime në veri, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, tha para dy ditësh se ministria që ai drejton është e gatshme ta ndihmojë KQZ-në për të organizuar një votim paqësor. KQZ ka njoftuar se votimet në Mitrovicën e Veriut do të mbahen në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në Suhodoll, objektin e komunës Lagjja e Boshnjakëve, SHFMU “Aziz Sylejmani” – Kodra e Minatorëve, International Business College Mitrovica -IBCM dhe ish-objekti komunal.

Në Zubin Potok qendrat e votimit janë të vendosura në objektin e komunës, objektin publik Mala Jabuka (Molla e vogël), Tek Ura e Bubës, Bërnjak dhe në shkollën fillore “Osman Rama” në Çabër. Në Leposaviq mund të votohet në objektin komunal, objektin komunal në Soqanicë, objektin privat në Rëvatskë, objektin shtetëror në Dren, objektin e Ndërmarrjes Shoqërore Univerzal në Leshak, Koshtovë, objektin privat afër stacionit të autobusëve në Leposaviq dhe në shkollën fillore “Kadri Bistrica” në Bistricë. Ndërsa në Zveçan do të votohet në objektin komunal, SHFMU “Isa Boletini” në Zhazhë, SHFMU “Isa Boletini” në Lipë, Rasja Banja në Banjskë dhe në objektin komunal në Zhitkovc.

Për shkarkimin e kryetarëve duhet që opsioni “po” të rrethohet nga së paku 50 për qind plus një votues me të drejtë vote, në secilën nga katër komunat në veri të Kosovës. Votimi organizohet në bazë të udhëzimit administrativ nga Qeveria e Kosovës, pas presionit të ndërkombëtareve për shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri. Sipas udhëzimeve të publikuara, qytetarët mund të përgjigjen me “po” ose “jo” në pyetjen se a pajtohen që kryetari i njërës prej katër komunave në veri të shkarkohet. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00.


Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024