Shumë shpejt pritet që të caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Kosovës.
Për këtë qëllim, më 31 korrik 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të takojë drejtuesit e partive politike në Kosovë për të diskutuar për datën e zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Kosovës, e cila pritet të jetë në janar/shkurt të vitit 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë të dielën për KosovaPress se ky institucion "fillon përgatitjet intensive për përgatitjen dhe organizimin e zgjedhjeve, në kuptim të realizimit të aktiviteteve sipas afateve të përcaktuara me ligj, pasi të caktohet data për mbajtjen e tyre".
Por, pavarësisht se data e zgjedhjeve ende nuk është caktuar, Elezi ka thënë se KQZ ka punuar që të përgatitet për procesin e ardhshëm zgjedhor.
Elezi ka sqaruar se çfarë shërbimesh do të ofrohen përmes këtij softueri.
"Përmes këtij softueri do të ofrohen shërbime të ndryshme online, si në vijim: kërkimi i Qendrës së Votimit dhe aplikimi për ndryshimin e saj; aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës; aplikimi për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta; aplikimi për regjistrim dhe përditësimi i të dhënave të partive politike; aplikimi për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve; aplikimi për akreditim për vëzhgim të zgjedhjeve; regjistrimin e të dhënave për trupat zgjedhore; aplikimin online për akreditimin e vëzhguesve; mbledhja e të dhënave dhe paraqitja e rezultateve preliminare dhe përfundimtare në mënyrë progresive", ka thënë Elezi.