KPK prezanton draftin e Planit strategjik 2022-2024 para partnerëve ndërkombëtarë e shoqërisë civile
Lexohet për: 2 min.
Këshilli Prokurorial i Kosovës
2 vite më parë
Linku u kopjua

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur sot një takim për prezantimin dhe diskutimin e draftit të Planit strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024.

Në këtë takim, përveç anëtarëve të Grupit punues për hartimin e këtij plani, morën pjesë edhe partnerët ndërkombëtarë dhe vendorë, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët monitorojnë sistemin prokurorial.

Kryesuesi i Grupit punues për hartimin e Plani strategjik, zëvendëskryesuesi i KPK-së, Veton Shabani, tha se drafti i Planit strategjik të sistemit prokurorial 2022-2024 paraqet kornizën kryesore të planifikimit të politikave për menaxhimin e sistemit prokurorial të Kosovës në tri vjetët e ardhshëm.

Ndërsa kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, tha se qëllimi i këtij plani është realizimi i objektivave të parapara, ndëshkimi i korrupsioni, krimit të organizuar dhe i disa veprave të tjera penale, që, faktikisht, mbajnë peng edhe zhvillimin e vendit dhe janë shumë të rëndësishme edhe në proceset e integrimit në BE.

Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, tha se në këtë dokument janë vlerësuar edhe sfidat dhe rreziqet që mund të paraqitën gjatë zbatimit në praktikë, sidomos ato që kanë të bëjnë me reforma në sektorin e drejtësisë, përkatësisht me ndryshimet ligjore.

Këtë takim e përshëndetën edhe Volkmar Theobalt dhe Cristian Nicoara, përfaqësues të projektit EUKOJUST dhe David Wells, përfaqësues i projektit britanik “Fuqizimi i sistemit të drejtësisë”.

Në vazhdim, kryesuesi i Grupit punues prezantoi procesin e hartimit të draftit të kësaj strategjie, si dhe shtyllat dhe objektivat që përmban ky draft. Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Valdrin Krasniqi, prezantoi Raportin për zbatimin e Planit strategjik paraprak.

Takimi vazhdoi me diskutime nga pjesëmarrësit, të cilëve po ashtu iu ofrua mundësia që komentet eventuale lidhur me këtë draft të Planit strategjik t’i dërgojnë me shkrim, thuhet në një komunikatë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025