KPK: Kushtetuesja parandaloi cenimin e pavarësisë së sistemit prokurorial
Lexohet për: 4 min.
KPK
1 vit më parë
Linku u kopjua

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka vlerësuar se publikimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Ligjin e Këshillit Prokurorial, të cilin e ka shpallur kundërkushtetues dhe e ka rrëzuar përfundimisht, vërteton plotësisht qëndrimet dhe shqetësimet e shprehura publikisht të përfaqësuesve të sistemit prokurorial, në mënyrë që ky ligj të mos miratohej si i tillë. 

KPK-ja deklaron se edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është keqpërdorur sërish fjala e lirë, keqpërdorim ky, i cili është dhe mbetet kryekëput jashtë të drejtës demokratike dhe aq më tepër kur ai vjen nga zyrtarët më të lartë të shtetit.

“Edhe sot u dëgjuan deklarime të tilla nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në konferencën për medie, të cilat përkojnë me një pamaturi dhe joseriozitet aq të theksuar saqë shkojnë deri në kontestim të akteve që dalin nga institucioni më i lartë kushtetues, duke pohuar se “më e rëndësishmja për të është interesi individual i disa anëtarëve të KPK-së” dhe përtej saj, një zyrtare e lartë e Qeverisë, për çudi, nuk pajtohet me vendimin e një institucioni më të lartë, siç është Gjykata Kushtetuese. Paraprakisht, për hir të transparencës publike, KPK-ja, ka shprehur disa herë para opinionit qëndrimin e vet me anë të deklaratave dhe reagimeve të njëpasnjëshme për një mbarëvajtje jo të rregullt të procesit të hartimit të Projektligjit të KPK-së dhe për futjen e elementeve tendencioze dhe jofunksionale, si dhe për nxitimin marramendës të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë për të proceduar e miratuar ketë Projektligj, pa e konsultuar draftin final me aktorët e këtij procesi dhe pa i pritur komentet shtesë të Komisionit të Venecias. Gjithashtu, KPK-ja, ka theksuar sistematikisht defektet e shprehura të Ekzekutivit lidhur me mosmarrjen parasysh të propozimeve të dala nga Strategjia për Sundimin e Ligjit dhe propozimeve të përfaqësuesve të sistemit prokurorial dhe akterëve të tjerë të sistemit të drejtësisë ose jashtë tij, gjë që realisht përbënte hapur një tendencë për të cenuar pavarësinë e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, si institucione të pavarura dhe kushtetuese. Në këtë kontekst, rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës hoqi të gjitha dilemat ekzistuese lidhur me ketë çështje, së pari, duke marrë vendim që të rrëzohet komplet Ligji për Këshillin Prokurorial dhe, së dyti, duke parandaluar cenimin e pavarësisë së KPK-së dhe ligjësimin e ndikimeve politike në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.

KPK-ja pohon se Gjykata Kushtetuese të Republikës së Kosovës, me nxjerrjen e këtij vendimi të drejtë, afirmon njëherë e mirë të drejtën kushtetuese për mosinterferim politik, i cili cenon thelbësisht pavarësinë e prokurorëve të shtetit dhe përgjithësisht pavarësinë e sistemit prokurorial.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, deklaron se mbetet i përkushtuar për të mbështetur proceset e përgjithshme reformuese në sistemin prokurorial dhe do të bëjë përpjekje edhe në të ardhmen që së bashku me të gjithë mekanizmat shtetërorë të vendit, mbështetësit dhe partnerët e çmuar ndërkombëtarë, të bashkëveprojë në çdolloj nisme legjislative dhe nisma të tjera, që kanë për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial i Kosovës të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, transparente, duke mos u ekspozuar para asnjë lloj ndërhyrjeje apo presioni nga palët e ndryshme”, thuhet në deklaratë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024