Kombëtarja e Kosovës në futboll për femra do të ballafaqohet sot me Kroacinë. “Dardanet” në stërvitjen e djeshme aplikuan aktivitete tekniko-taktike, duke praktikuar pikat kyçe me të cilat Kosova do të luaj sot. Gjatë stërvitjes u vërejt edhe forma e mirë e kontigjentit të futbollisteve.
Atmosfera në ekipin e Kosovës është pozitive çfarë e dëshmojnë edhe deklaratat e futbollisteve. Vanesa Hoti dhe Modesta Uka të cilat iu bashkuan ekipit të Kosovës gjatë ditës së djeshme janë komponuar mjaft mirë me pjesën tjetër të ekipit.
Derisa Florentina Kolgeci pohoi se e kanë lënë mbrapa humbjen në “Zahir Pajaziti” dhe janë fokusuar për ndeshjen kthyese, teksa shpreson në rezultat pozitiv:
“Atmosfera është shumë pozitive, jemi munduar të lëmë pas atë humbjen e dhimbshme dhe po mundohemi të jemi sa më kompakte për ndeshjen e ardhshme që të arrijmë rezultat pozitiv. Ne e kemi parë se çfarë kundërshtari është Kroacia, nuk është nivel shumë më i lart se ne, vetëm duhet të jemi më të qeta e më të bashkuara dhe sigurisht se mund të arrijnë rezultat pozitiv”, theksoi Florentina Kolgeci.