Qytetarët e Kosovës i mbesin besnik bregdetit në Shqipëri. Janë mbi dy milionë qytetarë të vendit tonë që kanë vizituar brenda shtatë muajve Shqipërinë. Pas Kosovës prin Maqedonia e Veriut dhe pastaj Italia dhe Anglia.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur i kënaqur me numrin e përgjithshëm të turistëve që nga janari e deri në korrik, numri i të cilëve arrin në 6.3 milionë.
Sipas tij, infrastruktura e zhvilluar më tutje nga viti i kaluar, qoftë ajo rrugore apo ajo e furnizimit me energji e me ujë, si edhe masat e marra për mbrojtjen e ujërave larës kanë dhënë kontribut të padiskutueshëm në rritjen e cilësisë së sezonit, por është po kaq i padiskutueshëm volumi i madh i punës që mbetet për t’u bërë në këto drejtime për Shqipërinë Turistike2030.
“Rritja e lartë e numrit të vizitorëve në zonat malore dhe liqenet e lumenjtë e vendit, nga veriu në jug, falë jo vetëm imazhit të ri joshës të Shqipërisë po dhe përmirësimeve të konsiderueshme të infrastrukturës e rritjes së numrit të njësive të shërbimit, ashtu sikundër edhe në qytetet jobregdetare me në krye Tiranën, është lajmi më i bukur i këtij sezoni. Edhe keqinformimi e dizinformimi kanë pasur rritjen e tyre në çdo drejtim, falë shpejtësisë marramendëse të gënjeshtrës në kohën që jeton bota e sotme e kanaleve, portaleve e socialeve, por ashtu siç dielli nuk mbulohet dot me shoshë, as e vërteta e këtij vendi që bëhet më i mirë, më tërheqës, më i sigurtë në rrugën drejt majës së #SHQIPËRISË2030 nuk zhbëhet dot nga askush”, ka shkruar ai, duke sqaruar se tabelat bashkëngjitur përfshijnë vetëm vendet me numrin më të madh të vizitorëve.