Kosova pret Kampionatin Mesdhetar të Karatesë, shpalosen detaje
Tema
Lexohet për: 4 min.
2 orë më parë
Linku u kopjua
Nga 12 deri më 14 shtator në Prishtinë do të zhvillohet Kampionatit Mesdhetar të Karatesë që pritet të sjellë në Kosovë mbi 20 shtete që kanë nivelet më të larta të sportit të karatesë.
Kosova e fitoi këtë të drejtë pas një lobimi të fuqishëm nga ana e Federatës së Karatesë, sepse kjo garë fillimisht i ishte besuar Egjiptit. Kështu bën të ditur sekretari i kësaj federate, Nazmi Gashi.
“Realisht kjo ka qenë e parapërcaktuar, në kalendar të garave ka qenë e marrur nga Egjipti. Ne ia morëm Egjiptit pasi Egjipti e ka vendosur në kalendarin botëror të garave. Kjo ka ndodhur për shkak se Asambleja e Përgjithshme kur kemi qenë ne në Olbia dhe zyrtarisht kemi aplikuar për ta marrë atë dhe kemi thënë që na nevojitet një test i vendit para marrjes së Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.”, thotë fillimisht Gashi.
Gashi bënë të ditur se në Kosovë do të zbarkojnë shtete të cilat kanë nivel të lartë të organizimit në sportin e karatesë, duke përfshirë edhe Egjiptin, Francën dhe Spanjën.
“Federata Mesdhetare e Karatesë mban brumin e karateistëve elitar...Diku mbi 70 përqind të medaljeve botërore i përkasin regjionit mesdhetar. Do të thotë flasim për karatenë elitare që bëhet në Egjipt, Francë, Spanjë, Turqi, në vendet të cilat janë të renditura lartë në medaljet botërore...Ne presim të marrin pjesë 20-23 shtete. Disa shtete nuk presim që të marrin pjesë, megjithatë do të jetë niveli më i lartë i garave të karatesë që kanë ndodhur ndonjëherë jo vetëm në regjionin tonë por në të gjithë Evropën Juglindore”, thekson tutje Gashi.
Pjesë e Federatës Mesdhetare është edhe Serbia, shtet për të cilin Gashi thotë se nëse shpreh interesim të jetë pjesë e garës, Kosova do të jetë e hapur.
Gashi: Nëse Serbia shpreh interesim të marrë pjesë, ne jemi të hapur
VIDEO:
“Ne për një e dimë të saktë për shkak se është fqinji ynë. A do të vije ose a do të shpreh interesim për të ardhur është çështje tjetër mirëpo normalisht në këto eventet e mëdha ata kanë hequr dorë që të marrin pjesë. Megjithatë në pyetjen e zyrtarëve të Federatës Botërore që nëse Serbia pranon të vij, ju a do të pranoni që t’i keni, ne kemi thënë po patjetër, ne duhet t’i presim sikur të gjitha kombëtaret tjera.”, bën të ditur Gashi.
E sa i përket synimeve të Kosovës në aspektin sportiv, sekretari i FKK-së ka theksuar se do të garohet me karateistët më të mirë dhe se pret që ata ta bëjnë krenar vendin me paraqitjet e tyre.
Gashi: Kosova merr pjesë me karateistët më të mirë
VIDEO: “Ne do të marrim pjesë me sportistët tanë më të mirë. Ne tani më kemi futur në planifikim financiar edhe kampin e përbashkët që do ta organizojë federata për sportistët elitar me qëllim të pjesëmarrjes sa më të mirë në këtë kampionat, të dalim mirë edhe si Kosovë pasi që organizohet këtu...Ne po shpresojmë që sportistët tanë këtu do të na bëjnë krenar edhe ne edhe gjithë Kosovën, ky ka qenë edhe një prej qëllimeve që edhe në mobilizimin e brendshëm të klubeve dhe të trajnerëve të mobilizohemi që me të vërtetë të kemi paraqitje të mirë këtu.”, ka thënë në fund Gashi.
Megjithëse, ende nuk është marrë vendimi final, ky kampionat pritet të zhvillohet në Pallatin e Rinisë ose në palestrën “1 Tetori”, në Prishtinë, derisa për akomodimin e vizitorëve mund të përdoret edhe Qendra e Studentëve.