“Kosova mundet më mirë”, Bedri Hamza nga PDK shpalos programin qeverisës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza tha se nën qeverisjen e tij pagat në sektorin publik do të rriten 50 për qind, derisa shpalosi programin qeverisës për zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2025.
Në Konventën e kësaj partie Hamza u zotua se pensionet do të jenë mbi 200 euro, ndërsa për të gjitha kategoritë e luftës pensionet do të rriten 50 për qind. Në mesin e mijëra simpatizantëve, kandidati për kryeministër premtoi se do të subvencionohen me nga 100 euro prindërit që regjistrojnë fëmijët në çerdhe private.
Përveç këtyre, Hamza tha se do ketë grante për biznese deri në 30% të vlerës së investimit. Ai potencoi se do të ketë përmirësime në infrastrukturën shëndetësore, derisa premtoi sigurime shëndetësore.
Slogani i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 është “Kosova mundet më mirë”.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se kjo parti është e pathyeshme dhe testament i qëndrueshmërisë e sukseseve. Ai potencoi se ëndrra e qytetarëve për një Kosovë më të mirë është gati. Krasniqi u shpreh i bindur se Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova.