Sot u mbajt takimi me anëtarët e bordit të drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) të cilët përfaqësojnë shtetet anëtare nga Evropa, Amerika, Azia dhe Afrika.
Përfaqësuesit u mirëpritën nga Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Drejtori i BERZh për Ballkanin Perëndimor, Matteo Colangeli, si dhe përfaqësues të Zyrës së BERZh në Kosovë.
Ministri Murati theksoi rolin e BERZh në zbatimin e projekteve që nxisin zhvillimin ekonomik, duke përmendur projektet aktuale si ato të tranzicionit energjetik, infrastrukturës dhe mjedisit. Ministri Murati gjithashtu theksoi memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar këtë vit ndërmjet BERZh dhe Qeverisë së Kosovës për zbatimin e strategjisë së BERZh për Kosovën 2022-2027, ku si objektiva të kësaj strategjie janë zhvillimi i sektorit privat, transportit dhe dixhitalizimit.
Nga ana e saj, Ministrja Rizvanolli gjithashtu theksoi se energjia është prioritet i përbashkët i të dyja palëve dhe ndau objektivat në këtë fushë veçanërisht në ndërtimin e kapaciteteve të reja duke siguruar se çmimet e enegjisë mbeten të përballueshme.