Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti sot ka bërë të ditur se i ka drejtuar Serbisë një shkresë për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Hoti ka bërë të ditur se kanë kërkuar nga presidenti i Serbisë ka kërkuar të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave.“Në respektim të zbatimit të Deklaratës për persona të zhdukur, e miratuar në Bruksel, Republika e Kosovës pa humbur kohë ka filluar me kërkesat e saj për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Shkresa që po e publikoj këtu, është vetëm shkresa e parë drejtuar Serbisë, për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës. Ne kemi kërkuar nga Presidenti i Serbisë, të gjitha informacionet, përfshirë edhe ato të klasifikuara, për Komandën e Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Kjo brigadë, përveç tjerash ka kryer krime në regjion të Drenicës. Nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur. Natyrisht që shkresa e parë fillon me Drenicën, sepse pikërisht në Drenicë, Serbia ka filluar me krimet masive ndaj popullit shqiptar.”, ka shkruar Hoti në Facebook.