Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij.
Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Borrell shtoi se Këshilli Evropian ose Bashkimi Evropian vlerësojnë kush sa ka bërë nga plani i zbatimit dhe mospërmbushja e tyre do të ketë pasoja.
"Pra, aneksi dhe marrëveshja konsiderohen të miratuara përmes deklaratës sime që do të publikohet. Pavarësisht se në fillim u propozua një detyrë më ambicioze, ajo që kanë pranuar palët, që nënkupton marrëveshjen dhe zbatimin e saj nëpërmjet aneksit, do të bëhet pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse në Bashkimin Evropian. Dhe për ta bërë shumë konkrete, do të nis menjëherë punën për të përfshirë zyrtarisht amendamentet përkatëse në kapitullin 35 të negociatave të Bashkimit Evropian të Serbisë. Dhe në agjendën e grupit special të Kosovës për normalizim. Në këtë mënyrë, të dyja palët do të jenë të lidhura me marrëveshjen e cila do të jetë pjesë e rrugës së Bashkimit Evropian. Dhe ne në Bashkimin Evropian, do të kërkojmë me ngulm nga palët që të përmbushin detyrimet e tyre sepse tani ato do të jenë pjesë e rrugës së Bashkimit Evropian dhe mospërmbushja do të ketë pasoja”, tha ai.
“Për të hapur rrugën drejt arritjes së objektivit të tyre strategjik, për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Serbia dhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet. Nuk ka rrugë tjetër. Dhe kjo marrëveshje dhe ky aneks, që është pjesë përbërëse e marrëveshjes është një hap i rëndësishëm përpara për ta bërë atë realitet. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë pa pushim derisa të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, tha ai.
Sipas tij, palët ranë dakord gjithashtu të miratojnë Deklaratën për personat e zhdukur, siç është negociuar.