Berlini pret që Kosova të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si parakusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE).
Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, gjatë një fjalimi në Bundestag me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, apeloi te Kosova që të bëjë çfarë është e mundur për t’u anëtarësuar në KiE. “Kosova duhet të hyjë në Këshillin e Evropës,” tha Baerbock. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira dhe atyre që janë përgjegjës në Kosovë të bëjnë gjithçka që është e mundur për të siguruar që të arrijmë shumicën e nevojshme për anëtarësimin sa më të shpejtë.”
Knut Abraham, nga CDU/CSU-ja në opozitë, e kritikoi në seancën e Bundestagut stafin e kancelarit Olaf Scholz për këtë qëndrim: “Nuk e kuptoj pse skeptikët në Kancelarinë Federale nuk e kuptojnë se kjo është një mundësi historike,” tha ish-diplomati, i cili, para se të bëhej deputet, kishte punuar më parë në Kancelarinë Federale (në kohën e Angela Merkelit). “Nëse flitet për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, tani është koha, tani duhet të merret edhe vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës në KiE.”
Abraham sugjeroi që të mblidhet sërish Komiteti i Ministrave të Jashtëm në një seancë të posaçme, tani që Kosova është treguar e gatshme të dërgojë draft-statutin për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese. “Ky është një moment historik. Dhe qeveria e Kosovës ka bërë një hap shumë të rëndësishëm.”
Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia, është njohur zyrtarisht nga 116 vende, ndër ta 34 nga 46 anëtarët e Këshillit të Evropës. /Euronews.al/