Kosova dhe masat e BE-së: Një ngërç me pasoja të zgjatura
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Screenshot-2025-02-24-094339
5 orë më parë
Linku u kopjua

Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian nuk e kanë detyruar Qeverinë e Kosovës të ndryshojë kursin e saj, por kanë pasur ndikim në mirëqenien e qytetarëve. Pa një konsensus të qartë brenda BE-së se kur mund të hiqen, pasiguria vazhdon të formësojë situatën.

Njëzet muaj pas ngrirjes së fondeve për Kosovën dhe pezullimit të vizitave të nivelit të lartë, Bashkimi Evropian vazhdon të refuzojë heqjen e këtyre masave, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të Prishtinës, por edhe të Parlamentit Evropian.

Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, një zëdhënës i bllokut tha se “masat e përkohshme të BE-së janë të kthyeshme dhe Këshilli tashmë ka vendosur kushte për heqjen graduale të tyre, të cilat lidhen me marrjen e hapave nga Kosova për uljen e tensioneve në veri”.

Klisman Kadiu, nga Zyra e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse Qeveria e vendit ka ndonjë sinjal se kur do të hiqen masat e BE-së. Ngjashëm, nuk u përgjigj as sa llogaritet të jenë humbjet nga to.

BE-ja e ndëshkoi Kosovën në qershor të vitit 2023, për shkak të, siç vlerësoi, rolit të kryeministrit Albin Kurti në nxitjen e tensioneve etnike në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe.

Në disa raste, ai i cilësoi si të padrejta masat e BE-së, duke thënë se nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit dhe kushtetutshmërinë e vendit.

BE-ja nuk bëri të ditur se cilat projekte konkretisht janë prekur nga pezullimi i fondeve për Kosovën. Por, burime të Radios Evropa e Lirë morën vesh se ato variojnë nga kultura deri tek infrastruktura dhe se vlera e tyre arrin deri në 100 milionë euro.

Fisnik Osmani, kryeshef ekzekutiv i Ngrohtores së Qytetit të Prishtinës “Termokos”, konfirmon se një projekt i ndërmarrjes për dyfishimin e kapaciteteve të ngrohjes në kryeqytet, është pezulluar, për shkak të ngrirjes së një granti prej 17.6 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian.

Këto mjete, thotë ai, ishin pjesë e programit IPA, që u ofron asistencë financiare dhe teknike vendeve që synojnë BE-në, por që në rastin e Kosovës është bllokuar.

“Sanksionet e BE-së e kanë dëmtuar në masë të madhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në këtë rast, fatkeqësisht, është dëmtuar edhe Ngrohtorja e Qytetit, e rrjedhimisht edhe qyteti i Prishtinës dhe qytetarët e tij”, thotë Osmani për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025