Qeveria e Kosovës dhe Zyra e Bashkimit në Prishtinë, kanë nënshkruar të premten marrëveshjen financiare për programin vjetor financiar IPA 2022, e cila i sjell vendit mbi 62 milionë euro.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog,
Zëvendëskryeministri, Bislimi tha se 62.25 milionë eurot nga kjo marrëveshje do të përkrahin një sërë projektesh për profesionet e lira, ato për mjedis dhe energji të gjelbër, efiçiencë të energjisë, menaxhim të mbeturina e ujërave të zeza.
Ai theksoi se Kosova brenda një periudhe të shkurtër ka nënshkruar tri marrëveshje me radhë në kuadër të programeve IPA III.
Ndërsa, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog tha se me këtë marrëveshje rikonfirmohet se BE-ja është ofruesi më i madh i ndihmës financiare për Kosovën.
Ai tha se kjo ndihmë financiare mbi 62 milionë euro për Kosovën mbështet zhvillimin ekonomik të përgjithshëm në Kosovë.
BE-ja ka filluar ofrimin e financimit IPA për Kosovën që në vitin 2007./B.Ibishi/