Institucionet e Kosovës kanë dënuar sulmet e fundit të grupit palestinez Hamas ndaj Izraelit. Dhjetëra persona u vranë dhe qindra u plagosën që nga mëngjesi i së premtes në sulmet me raketa nga Rripi i Gazës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur solidaritetin e plotë me presidentin dhe popullin e Izraelit.
Kryeministri Ablin Kurti ka shkruar se “Kosova dënon pa mëdyshje sulmet terroriste kundër shtetit të Izraelit”.
“Republika e Kosovës dënon pa mëdyshje sulmet e sotme terroriste kundër shtetit të Izraelit. Mendimet tona janë me popullin e Izraelit gjatë kësaj kohe tepër sfiduese. Ne dënojmë të gjitha aktet e dhunës dhe qëndrojmë në solidaritet të palëkundur me të prekurit”, ka shkruar Kurti.
“Kosova dënon fuqishëm sulmet terroriste kundër Izraelit. Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Izraelin në këto momente të tmerrshme. Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe gjithë Izraelin”, është theksuar në reagim.
Pas sulmeve ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi duke theksuar se “dhuna nuk është kurrë zgjidhje”.
Ndërsa kreu u Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se sulmet ndaj popullatës civile janë dhimbje për të gjithë botën demokratike.
“Qëndrojmë pranë Izraelit në këtë ditë të vështirë për ta. Sulmet terroriste në popullatën civile, pengmarrjet dhe agresioni, janë dhimbje e madhe për të gjithë botën demokratike. Urojmë në stabilizim të shpejtë të situatës. Familjeve të viktimave dhe shtetit të Izraelit, ngushëllime dhe forcë”, ka shkruar Haradinaj.