Ushtrisë së Kosovës i janë shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2. Kështu ka bërë të ditur sot kryeministri Albin Kurti, cili ka treguar se dronët janë blerë nga Turqia.
Ai ka potencuar se me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari dhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj kanë përgëzuar oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.
“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë.”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka shtuar se Kosova tash është edhe më e sigurt, “përveçse gjithnjë krenare”.
Ndërsa, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pas blerjes së dronëve Bayraktar, është shprehur se prioritet i tij ka qenë pajisja e FSK-së me armatim modern të teknologjjsë së fundit.
Ai ka theksuar se dronët Bayraktar janë lloji më i fundit i armatimit, posedimit i të cilëve, sipas tij, është i domosdoshëm për mbrojtjen e vendit./KosovaPress