Kosova tashmë është anëtare e asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Kjo pasi Asambleja me shumicë votash ka miratuar statusin e Kuvendit të Kosovës.
Për këtë ka reaguar edhe kryesuesi i delegacionit kosovar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Driton Hyseni.
“Avancimi i statusit vjen pas disa viteve të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Nga qershori i vitit 2014, ne përfaqësoheshim si delegacion vëzhgues. Letrat e shumta e përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit të Serbisë por edhe të akterëve tjerë politik në Beograd nuk ja dolën të ndalin Kosovën drejt avancimit të statusit. Ju përcjell urimet më të përzemërta nga Sofje e Bullgarisë. I priftë e mbara Kosovës tonë!", ka shkruar ai në Facebook.
Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.