Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Serbia nuk do të marrë mjete financiare nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për aq kohë sa ligjet e diskutueshme për gjyqësorin mbeten në fuqi.
“Për momentin i kemi pezulluar të gjitha pagesat nga Plani i Rritjes, sepse Serbia ka shënuar regres në fushën e drejtësisë, dhe derisa ta përmirësojë këtë, nuk do të mund të marrë mbështetje financiare nga BE-ja”, tha Kos gjatë një fjalimi në Universitetin e Friburgut në Zvicër.
Kos ka paralajmëruar edhe më herët, në disa raste, se këto ligje e kufizojnë pavarësinë e gjyqësorit.
Më 24 prill, Komisioni i Venecias vlerësoi se me ndryshimet e fundit në paketën e ligjeve për gjyqësorin në Serbi, janë hequr mbrojtjet ekzistuese të autonomisë së prokurorisë.Bashkimi Evropian kërkon nga Serbia që t’i zbatojë plotësisht të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias lidhur me ligjet për gjyqësorin dhe njëkohësisht të pezullojë zbatimin e këtyre ligjeve deri në ndryshimin e tyre.
Nga fondet e Planit të Rritjes, Serbia ka të drejtë në gjithsej 1.588 miliard euro për periudhën 2024-2027.
Në vend të 112 milionë eurove të planifikuara, ajo mori 61.1 milionë euro.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një iniciativë e Bashkimit Evropian, e miratuar në fund të vitit 2023, me qëllim përshpejtimin e afrimit ekonomik të rajonit me BE-në dhe mundësimin e qasjes graduale të tij në pjesë të tregut të përbashkët, para anëtarësimit të plotë.
Institucionet evropiane kanë ndarë gjithsej gjashtë miliardë euro për këtë program, për periudhën 2024-2027.