Koreja e Veriut ka dislokuar 250 raketahedhës balistikë në kufijtë jugorë, teksa lideri Kim Jong Un i ka përshkruar këto armë si “shpatë e fuqishme dhe e çmuar” për të mbrojtur sovranitetin e shtetit të tij.
Raketahedhësit u shfaqën gjatë një ceremonie “transferimi” në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian, të dielën, raportoi më 5 gusht media shtetërore verikoreane.
Kjo është hera e parë që Koreja e Veriut bëri publike numrin e armëve të transferuara në kufi, tha për AFP-në, Han Kwon-hee, nga Shoqata koreane e Studimeve të Industrisë së Mbrojtjes.
Këto lloje raketahedhësish janë të dizajnuar të mbajë katër raketa, tha Han, duke shtuar se furnizimi me armë i Phenianit për Moskën “mund të ketë ndërhyrë në aftësitë e Veriut që të arrijë të prodhojë 1.000 raketa”.
Koreja e Jugut është kundërpërgjigjur duke transmetuar propagandë afër kufirit dhe duke rinisur stërvitje ushtarake afër kufirit.
Gjatë këtij viti, Pheniani e ka shpallur Seulin “armikun kryesor”, duke hequr dorë nga ribashkimi dhe duke kërcënuar me luftë në rast të shkeljes territoriale.
Shirat goditën Korenë e Veriut në fund të korrikut dhe mediat në Korenë e Jugut thanë se deri në 1.500 persona mund të kenë vdekur si pasojë e shirave.
Kim ha hedhur poshtë këto raportime, duke thënë se synojnë të prishin imazhin e Veriut, përderisa shteti ka thënë se nuk ka asnjë viktimë si pasojë e shirave.
“Forca e ushtrisë sonë duhet të vazhdojë të përmirësohet”, tha Kim./REL/