Kontrollohen 10 barnatore në Prizren, gjenden sasi e barnave pa banderola
Hetuesit policorë nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, sot kanë zhvilluar një operacion policor në rajonin e Prizrenit, ku janë kontrolluar 10 barnatore, për të cilat ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se të njëjtat biznese janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola dhe të njëjtat produkte dyshohet se janë kontrabanduar dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve.
Sipas Policisë, operacion ka qenë i koordinuar së bashku me Doganën e Kosovës (Njësia e Anti-kontrabandës) dhe Inspektorët Farmaceutik nga Ministria e Shëndetësisë.
“Në njërën nga barnatoret është gjetur një sasi e barnave pa banderola të cilat ishin të fshehura mbrapa rafteve të lokalit. Barnat pa banderola janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, kurse hetuesit policorë e kanë shoqëruar një person të dyshuar në Stacionin Policor në Prizren si pronar i disa barnatoreve të cilat janë kontrolluar. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit të tij mbrojtës. Pas intervistimit është njoftuar prokurori kujdestar nga PTH-Prizren i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti ‘prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’’ dhe ‘tregti e ndaluar’, kurse i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.