Duket se zakoni i shumë njerëzve që e nisin ditën e tyre me një filxhan kafe mund të ketë përfitime shtesë përtej zgjimit, dhe hulumtimi i ri te gratë thotë se mund të zvogëlojë rrezikun e diabetit të tipit 2.
Studimi, i cili u botua në American Journal of Clinical Nutrition, përfshiu 4.522 pjesëmarrës dhe ata u ndoqën nga viti 1991 deri në 2017. Kontrollet bëheshin çdo dy deri në katër vjet për të parë faktorë të ndryshëm si stili i jetesës, dieta – duke përfshirë konsumimin e kafesë me kafeinë dhe pa kafeinë, demografinë dhe sëmundjet.
Gjatë studimit, u zbulua se 979 pjesëmarrës zhvilluan diabetin e tipit 2. Rezultatet gjithashtu treguan se konsumimi i rregullt i kafesë me kafeinë lidhej me një rrezik të reduktuar të diabetit të tipit 2.
Përbërësi aktiv në kafe është kafeina, një stimulues që mund të ndihmojë në uljen e niveleve të sheqerit në gjak. Kjo ndodh, sepse kafeina bllokon receptorët e adenozinës në tru, gjë që ul nivelin e insulinës dhe rrit përthithjen e glukozës.
Përveç veprimit si një shtesë diete për diabetin, kafeja dhe kafeina janë treguar të kenë disa përfitime të tjera shëndetësore, duke përfshirë uljen e rrezikut të sëmundjes së Parkinsonit për shkak të antioksiduesve dhe uljen e rrezikut të sëmundjes së Alzheimerit për shkak të kafeinës.
Megjithatë, është e rëndësishme të mos e teproni, pasi që pirja e më shumë se katër filxhanëve kafe në ditë mund të jetë e dëmshme për shëndetin tuaj dhe të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe disa llojeve të kancerit.