Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca u ka bërë thirrje shqiptarëve që të votojnë kandidatët shqiptarë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Kandidatë si Muharrem Salihu, Adnan Dibrani e shumë shqiptarë të tjerë duhet ta kenë mbështetjen e mërgatës sonë, si përfaqësues të ardhshëm jo vetëm të interesave të diasporës sonë, por edhe të kombit dhe shteteve tona, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka theksuar se zgjedhjet për PE janë më të rëndësishme se kurrë, pasi që në këto zgjedhje nuk do të zgjidhen vetëm përfaqësuesit e qytetarëve të shteteve anëtare, por do të dëshmohet edhe vendosmëria e Evropës në mbrojtjen e vlerave që po kërcënohen direkt nga pushtimi rus në Ukrainë.
“Zgjedhjet evropiane nuk do të jenë të rëndësishme vetëm për shtetet anëtare, por për të gjithë ne. Shumë shqiptarë që janë shtetas e me të drejtë vote në vendet e BE-së duhet të dalin e të votojnë në këto zgjedhje për partitë proeuropiane, por në veçanti t'i mbështesin kandidatët shqiptarë që sot garojnë nën siglën e shumë partive evropiane”, ka thënë Konjufca.