Konjufca: Serbia kërcënim për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal
Lajme
Lexohet për: 1 min.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim deputetin e Bundestagut gjerman, Peter Beyer me të cilin ka biseduar rreth çështjeve të ekonomisë, zhvillimit dhe sigurisë.
Konjufca e njoftoi deputetin Beyer me zhvillimet e aktualitetit, duke e cilësuar qasjen e Serbisë kërcënim për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal.
Ai tha se mbështetja e Gjermanisë për Kosovën vazhdon të ketë rëndësi thelbësore, duke theksuar nevojën e thellimit të mëtejmë të partneritetit midis dy vendeve përmes projekteve në interes dhe vlera të përbashkëta.
Edhe deputeti Beyer shprehu nevojën e bashkëpunimit gjithnjë e më të ngushtë mes dy vendeve duke theksuar se Kosova do të vazhdojë ta ketë mbështetjen gjermane në rrugën e zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit.
Në takim u diskutua edhe rreth rolit të diasporës së Kosovës për forcimin e raporteve mes dy vendeve.