Konjufca: Presim mbështetjen e partnerëve në proceset euroatlantike
Lexohet për: 2 min.
konjufca
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Guvernatoren e shtetit të Iowa-s, Kim Reynolds, e cila po qëndron për vizitë në vendin tonë.

Në takimin e ngrohtë dhe tejet miqësor u shkëmbyen pikëpamje rreth zhvillimeve politike në vend e rajon, si dhe u bisedua për mundësitë e zgjerimit të fushave të bashkëpunimit.

Kryetari Glauk Konjufca falënderoi Guvernatoren Reynolds për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet shtetit të Ioëa-s dhe Republikës së Kosovës dhe për gjithë mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë në vazhdimësi vendit tonë.

Në këtë pikëpamje, kryetari i Kuvendit vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, partneritetin e palëkundur dhe miqësinë e përhershme mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke potencuar përkushtimin e institucioneve shtetërore të Kosovës ndaj vlerave të lirisë, barazisë dhe demokracisë, mbrojtjes së integritetit territorial, sovranitetit dhe kushtetutshmërisë, kryetari Konjufca ritheksoi se integrimi euroatlantik është dhe mbetet prioritet i shtetit të Kosovës.

“Republika e Kosovës ka para vetes procese të rëndësishme drejt integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimit në mekanizma e organizata ndërkombëtare. Në të gjitha këto procese presim vazhdimin e mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë partnerëve tanë”, theksoi kryetari Glauk Konjufca.

Guvernatorja Kim Reynolds, duke shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet e deritashme midis shtetit të Iowa-s dhe Republikës së Kosovës, theksoi gatishmërinë për të zgjeruar më tej gamën e bashkëpunimit reciprok dhe me fusha të tjera, përfshirë atë parlamentare.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025