Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në seancën e 11-të plenare të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP PA) në Shkup.
Konjfuca tha se vizioni për bashkëpunim dhe për arritje të aspiratave të përbashkëta përmban ndër të tjera në vetvete edhe njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet e këtij rajoni, në mënyrë që t’i hapet rruga e bashkëpunimit të plotë.
“Një gjë e tillë u arrit më herët me liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë, gjë për të cilën jemi mirënjohës dhe kjo duhet të përsëritet, në frymën e të ardhmes së përbashkët”, tha Konjufca.
Ai potencoi se sulmi terrorist në Banjska më 24 shtator 2023 ishte goditje e rëndë jo vetëm për bashkëpunimin, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, andaj ky akt duhet dënuar nga të gjithë pa përjashtim, ndërsa përgjegjësit që po strehohen dhe mbrohen nga Serbia duhet të vihen përballë drejtësisë.
Në vazhdim të fjalës së tij kryetari i Kuvendit të Kosovës potencoi përparimin e jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, në qeverisjen demokratike dhe të drejtat e njeriut, në luftën kundër korrupsionit, në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.
“Strategjia për Evropën Juglindore 2030 duhet të përmbushë premtimin e saj për të mos lënë askënd pas dhe për të nxitur një rajon ku çdo shtet mund të lulëzojë”, tha ai.