Në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, u kërkua që roli i parlamenteve të jetë më i madh në avancimin dhe respektimin e të drejtave të grave. Legjislativi u tha se duhet të jetë edhe ekspozim i zërit të grave dhe vendimmarrjes së tyre politike, pasi vetëm në këtë formë ngritet sistemi për gratë në politikë.
Në kuadër të panelit për diskutim, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se institucioni që udhëheq është shembull i mirë për përfaqësimin gjinor.
Avancim të mëtutjeshëm të grave kërkoi deputetja në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.
"Parlamenti Evropian është një ndër vendet më të duhura për ekspozimin e zërit të grave në zemrën politikbërëse, jo vetëm për të folur për çështje sociale, por edhe sa i takon politikës ushtarake. Kemi një grup shumë aktiv që merret me këto çështje në Parlamentin Evropian....fakti që kemi një presidente grua është e rëndësishme që të diskutojë me gra të tjera që edhe gratë ta kenë zërin e tyre në forumin për gra, paqe dhe siguri", shtoi ajo.
"Duhet të krijojmë sistemin që ofron mundësi për gra deputete, apo gra në politikë që janë aktiviste politike dhe kanë guxim ti shtyjnë gjërat përpara", tha ajo.
Ndërkohë, deputetja nga parlamenti i Ukrainës, Yevhenia Kranvchuk, tregoi sfidat që po përballen pas agresionit rus në Ukrainë.
Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë po mbahet sot në Prishtinë, derisa do të vazhdojë edhe nesër./E.Zeqiri/