Konjufca: 5,6 dhe 7 marsi i vitit 1998 është kthesa kur sakrifica bëhet Epope
Lexohet për: 3 min.
334928141_904591300746050_3474293563472792992_n
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë sot se familja Jashari e ka shpallur lirinë e popullit të Kosovës dhe mbrojtur atë deri në vetëflijimin e tyre të plotë. Ai në seancën e Kuvendit, në shënim të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, ka thënë se 5,6 dhe 7 marsi i vitit 1998 është kthesa kur sakrifica bëhet Epope.

Kreu i Kuvendit ka thënë se lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharëve është ngjarje e pashembullt jo vetëm në historinë shqiptare.

“Lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharajve është ngjarje e pashembullt jo veç në historinë tonë kombëtare. Një të ngjashme nuk e njeh as historia e botës. Familja e gjerë Jashari, tre breza në kullën e tyre shekullore në tokën e lashtë të stërgjyshërve, nga baci Shaban e deri të Blerimi i vogël, e shpallën lirinë e popullit tonë dhe e mbrojtën atë deri në vetëflijimin e tyre të plotë. Lufta ishte aq legjendare, sakrifica aq sublime, kurse vetmohimi aq tronditës saqë kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes kurse bota u zhvendosë nga orbita e vet politike. Ky është momenti kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë frymë dhe e përfshiu të gjithë popullin tonë. 5,6 dhe 7 marsi i vitit 1998 është kthesa kur sakrifica bëhet Epope”, ka thënë Konjufca.

Sipas Konjufcës, kur flitet për Jasharët, lavdia e të gjallëve është jo më e pakët se ajo e të rënëve.

Ai ka përmendur të mbijetuarën e familjes Jashari, Besartën, me ç’rast, ka thënë se përmes saj Zoti është kujdesur që dëshmia të jetojë.

“Besarta mbijetoi për ta ndarë me ne qëndresën legjendare dhe flijimin e familjes së saj. Zoti u kujdes që dëshmia të jetojë. Shpesh më del para syve momenti kur baci Rifat kthehet në Prekaz mes varreve ende të freskëta, me plis në kokë dhe mustaqet e tij të bardha, me atë ecje titanike, ai barte mbi supet e tij si kreshtat e maleve tona krejt dhimbjen tonë historike por edhe krenarinë tonë më të lartë. I kishte humbur 55 anëtarë të familjes, prej tyre gruan dhe katër fëmijët e tij, prindërit e tij, vëllezërit, bashkë me gratë e tyre dhe nëntë nipa e mbesa. Por ishte ai që i ngushëllonte të tjerët, familjarët e gjallë, ushtarët e UÇK-së, dhe bashkëfshatarët e tij. Të dashur vëllezër e motra, vetëm për një miut mundohuni ju lutëm të zini vendin e baçit Rifat dhe më thoni a nuk është ky pikërisht definicioni i heroit të gjallë. Lavdi luftës dhe sakrificës së familjes Jashari, lavdi epopesë së UÇK-së”, ka thënë Konjufca.

Kosova po shënon 25 vjetorin e Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kujtuar sakrificën e familjes Jashari në Prekaz më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025