Kongresi Klinik po ndikon në edukimin e vazhdueshëm të mjekëve
Lexohet për: 4 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua
Kongresi i dytë Klinik i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës po shihet si mundësi e mirë për avancimin e praktikave më të mira kirurgjike. Pjesëmarrësit thonë se këto lloj kongresesh ndihmojnë në edukimin e vazhdueshëm profesional të mjekëve.
Në këtë Kongres i cili ka nis nga mbrëmë e i cili do të vazhdojë edhe nesër po prezantohen punime e ligjërata të kirurgëve vendorë por edhe ndërkombëtar.
Interesimi për të marrë pjesë në Kongresin Klinik që po mbahet në Prishtinë është mjaft i madh.
Ndër të interesuarit për të mësuar më shumë rreth metodave kirurgjike është edhe kirurgu pediatër, Dëfrim Koçinaj i cili punon në Kirurgjinë Pediatrike në QKUK.
Ai thotë se Kolegji i Kirurgëve të Kosovës ka arritur që të sjell botën kirurgjike në Kosovë e cila po u mohohet atyre kosovarë për shkak të mungesës së vizave por edhe aspekteve financiare.
“Problemet me viza, problemet financiare, të cilat veç i dimë ne shumë prej tyre, nuk arrijnë me i ndjek Kongreset e tilla nëpër botë e Evropë. Kolegji çka ka arritur, ka arritur ta sjell botën këtu. Ky është një shans që ne nuk duhet ta lëshojmë asnjëherë për të dëgjuar, përvojat, shkencën, të arriturat. Çdo informacion i ri na ndihmon në vendimmarrje, në qëndrime në raport me operacionet që ne vetëm i ofrojmë, sigurisht që ndikon shumë pozitivisht në këtë drejtim. Këto lloj Kongrese janë më shumë si shtytje që ne të kërkojmë nga institucionet përkatëse që të na suportojnë me pajisje më moderne edhe pse ne nuk jemi keq por kemi nevojë më shumë për pajisje dhe trajnime”, tha Koçinaj.
E nga Gjilani në Prishtinë sot kishte ardhur edhe kirurgu i përgjithshëm, Valon Beqiri i cili Kongresin Klinik e konsideroi si mundësi e mirë për edukim të vazhdueshëm profesional të mjekëve.
Ai tha se përmes këtyre trajnimeve ata mësojnë edhe metodat më të reja të intervenimeve kirurgjike.
“Mendoj që Kongreset e tilla janë shumë të rëndësishme sepse ndikojnë në edukimin e vazhdueshëm profesional të mjekësve si dhe të arriturat shkencore, duke pas parasysh se në këtë Kongres marrin pjesë një numër i profesorëve dhe kirurgëve që janë evropian apo botëror...Neve si profesionistë shëndetësor Kongreset e tilla na ndihmojnë shumë për arsye se çdo kongres që mbahet tash e tutje prezantohen të arriturat e reja shkencore dhe metodat bashkëkohore të intervenimeve kirurgjike të cilat realizohen në ditët e sotme”, u shpreh Beqiri.
Krahas pjesëmarrësve përshtypjet për Kongresin Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës me KosovaPress-in i ndau edhe kirurgia abdominale shqiptare, Marsela Ceno e cila punon në Klinikën Universitare në Dusseldorf të Gjermanisë.
Ceno e cila do të referojë dy ligjërata rreth aspekteve kirurgjike u shpreh se Kongreset e tilla mundësojnë shkëmbim të eksperiencave por edhe janë si ura komunikimi për bashkëpunim në mes kirurgëve shqiptar.
“Sot do të referoj dy tema në lidhje me hernin një temë e cila është shumë aktuale dhe prezente në praktikën e çdo mjeku, ndërsa nesër do të flas rreth menaxhimit të komplikacioneve që ndodhin gjatë operacioneve. Prezenca jonë është shumë e rëndësishme në këtë Kongres është shumë e rëndësishme sepse përmes këtyre konferencave ne arrijmë të shkëmbejmë eksperiencat tona, ne sjellim një pjesë të eksperiencës tonë nga diaspora në vendet tona të origjinës, njihemi me kolegët që janë kirurgë në Kosovë dhe Shqipëri dhe në këtë formë mundësitë e krijimit të urave të komunikimit dhe bashkëpunimit bëhen shumë reale dhe vijmë shumë afër njëri-tjetrit”, u shpreh ajo.
Kongresi i dytë Klinik është organizuar nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës dhe mbështetur nga Oda e Mjekëve. Në këtë Kongres 750 kirurgë të lëmive të ndryshime janë regjistruar si pjesëmarrës. /B.Ibishi/