Nën tingujt i himnit kombëtar dhe me një minutë heshtje, sot në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, u mbajt koncert dedikuar pianistes së ndjerë, Virgjina Damati.
Ajo, njëherësh u nderua edhe me mirënjohje post-mortem, për kontributin 34-vjeçar si mësimdhënëse e pianos dhe edukimin e gjeneratave të tëra në këtë fushë.“Nuk e kisha menduar kurrë një cast si ky dhe një arsye të rëndë si kjo, për të folur për humbjen e parakohshme të Gjinës tonë. Ajo na la përgjithmonë duke përfunduar rrugëtimin e saj 34-vjeçar në edukimin e brezave të tërë. Ishte njeri dhe kolege e mirë, profesioniste e vërtetë, shoqe besnike, mike e devotshme dhe si të tillë do ta kujtojmë përjetë. Mungesa e saj sot, na kujton boshllëkun e madh njerëzor që ka lënë për të gjithë, por virtytet e saj do ta bëjnë atë të pavdekshme në mesin tonë”, ka thënë Prekazi.
Ndërkaq, Alidin Damati, duke folur në emër të familjes, tha se bashkëshortja e tij e ndjerë, vazhdon të jetojë dhe frymojë përmes veprave dhe kujtimeve që i ka lënë.
Gjatë koncertit u kënduan këngë nga kori i shkollës së muzikës “Tefta Tashko”, ndërsa nxënësit ekzukutuan në piano vepra të autorëve të ndryshëm, nën përkujdesjen e shkëlqyeshme të mësimdhënësve, Endi Abrashi, Fllanza Krasniqi, Saranda Kutllovci-Syla, Fisnik Komtrashi dhe Rina Ferri. /KosovaPress/