Komunat në veri të Kosovës nuk e deklaruan pasurinë
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Tri komunat në veri të Kosovës vazhdojnë të mos i përgjigjen ligjeve dhe rregulloreve të institucioneve të Kosovës. As në deklarimin e pasurisë të cilën e ka publikuar Agjencia Kundër Korrupsion për vitin 2022, serbët që drejtonin këto komuna nuk iu kanë përgjigjur thirrjes për deklarimin e pasurisë.
Përveç që nuk paguajnë energjinë elektrike, mbeturinat e ujin, përfaqësuesit e institucioneve komunale në tri komunat në veri, vazhdojnë të mos respektojnë institucionet dhe ligjet e shtetit tonë. Që nga paslufta ato nuk mbledhin tatimin mbi pronë, tatimin për bizneset, e këto të fundit në kundërshtim me Kushtetutën përdorin edhe dinarin e Serbisë.
Pas zgjedhjeve komunale, këto komuna pritet të drejtohen nga shqiptarët. Megjithatë, në deklarimet e pasurisë të publikuar për vitin 2022, e të publikuara së fundmi nga Agjencia Kundër Korrupsion, në komunën e Zubim Potok nuk e kanë deklaruar pasurinë asnjë serbë, por vetëm gjashtë shqiptarët që janë këshilltarë në Kuvendin Komunal.
Kurse, Komuna e Zveçanit as që është futur në listën e komunave që deklarojnë pasurinë.
E në komunën e Mitrovicës së Veriut, pasurinë e ka deklaruar nënkryetarja e atëhershme e komunës, dhe 15 përfaqësues të tjerë.
Kurse, komunat tjera që drejtohen nga serbët, siç është Graçanica, Shtërpca, Parteshi, Ranillugu dhe Kllokoti, kanë marrë pjesë në deklarimin e pasurisë.
Përndryshe, komunat që drejtohen nga serbët, gjatë gjithë pandemisë COVID-19, nuk iu kanë përgjigjur institucioneve të Kosovës, as sa i përket ofrimit të të dhënave për numrin e të infektuarve, e as të vaksinuarve serbë.