Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) i ka dhënë nivelit qendror afat deri të hënën të ekzekutojë pagat e ndalura për punëtorët e sektorit publik, në të kundërtën, paralajmëron se do të ndërmarrë hapa tjerë ligjorë.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për KosovaPress thotë se komunat janë deklaruar të gatshme të fillojë vitin e ri shkollor më 1 shtator, porse për shkak të grevës u pamundësua një gjë e tillë.“Dialogun duhet ta bëjnë dy palë të cilat janë të ndërlidhura në këtë problem. 3:38 Palët të cilat janë të ndërlidhura në zgjidhjen e këtij problemi duhet të ulën sa më shpejtë që është e mundur në mënyrë që situata të mos vazhdojë si e tillë. Por nëse deri me 5 shtator, punonjësit administrativ, shërbyesit civil në nivel lokal, por edhe shërbyesit publik në nivel lokal nuk i pranojnë pagat, atëherë kryetaret e Komunave mendojnë që do ta organizojmë një takim tjetër ku do t’i shohim rrugët tjera ligjore për zgjidhjen e këtij problemi”, shprehet Ibrahimi.
Kryetari i AKK-së tregon se komunat kanë kryer të gjitha përgatitjet teknike për fillimin e vitit shkollor.
Ibrahimi, po ashtu theksoi se kryetarët e komunave kanë kërkuar nga niveli qendror të mos ketë presione në lidhje me kërkesat e tyre.
“Kryetaret e komunave kanë kërkuar që presionet që po vinë nga niveli qendror, përkatësisht ministria e financave dhe ministria e arsimit, drejtuar zyrtareve komunal, të drejtorëve komunal të arsimit, të mos bëhet në të ardhmen, sepse kompetencat e komunave janë të kuptueshme, janë të ndara me Ligjin mbi vetëqeverisjen lokale”, thekson Ibrahimi.
“Kryetarët e komunave të LVV-së dje nuk kanë qenë prezent, kryetarët e komunave në përgjegjësi e konsiderojnë këtë problem i cili është duke ndodhur në nivel qendror edhe me SBAShK-un, dhe komunat janë duke pësuar nga ky moskordinim i të dy palëve”, thotë ai.
Ibrahimi thotë se në takimin e mbajtur është ngritur shqetësimi edhe sa i përket mosmiratimit të Ligjit për paga. Sipas tij, në këtë rast qeveria dhe BSPK-ja duhet të dialogojnë në mënyrë që të zhbllokohet situata dhe greva të përfundojë.
Kryetarët e komunave janë takuar pasditen e së enjtes në Lipjan, për të diskutuar lidhur me situtën e krijuar në arsim pas grevës së mësimdhënësve. Sindikalistët kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga greva edhe pse një gjë e tillë iu është kërkuar vazhdimisht nga ekzekutivi.