Komuna e Shtimes ndan çmimin “Qytetar Nderi” për politikanin gjerman Hartmut Ganzke
Lexohet për: 2 min.
shtime-060524
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Kuvendi Komunal i Shtimes sot ka mbajtur mbledhje solemne me rastin e dorëzimit të çmimit “Qytetar nderi” për politikanin gjerman dhe njëkohësisht  mikun e kësaj komune, Hartmut Ganzke.

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu vlerësoi lartë kontributin dhe angazhimin e shtetit gjerman në ofrimin e ndihmës ndaj Kosovës në shumë etapa. Aliu theksoi se falë raporteve të mira të krijuara me Ganzke dhe personalitete të tjera të politikës gjermane, janë në proces të realizimit të shumë marrëveshjeve, duke përfshirë shkëmbimin e nxënësve të dalluar, artistëve e sportistëve. Po ashtu, ai përmendi se si rezultat i këtij kontakti kanë siguruar donacione si makineri për transportimin e mbeturinave dhe një automjet për zjarrfikësit.

Ndërkaq, politikani gjerman, Hartmut Ganzke, i cili ka ardhur për vizitë në Komunën e Shtimes bashkë me delegacionin e tij, teksa u shpreh i nderuar për marrjen e çmimit si “Qytetar Nderi”, tha se do të përpiqet maksimalisht që marrëdhëniet me këtë komunë të forcohen në të ardhmen.

Deputeti i SPD-së, Ganzke nënvizoi këtë fjalim si ndër më të veçantit, për çka tha se ndihet krenar që Komuna e Shtimes nderoi atë me këtë çmim.

Në një fjalë rasti, kryetari i Qarkut Unna, Mario Lohr tregoi se dje bashkë me Ganzke, delegatë të tjerë gjermanë dhe kryetarin Aliu bënë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak. Derisa potencoi se kjo masakër ka qenë një prej arsyeve pse bota ndërkombëtare bombardoi Republikën Federale të Jugosllavisë asokohe.

Ndër të tjera, Lohr tha se korrupsioni në Kosovë është përmirësuar dhe se barazia gjinore po shënon progres. Ai tha se përmes praktikave të ndërsjella mund të shkëmbehen ide dhe të fitohet eksperienca nga njëri tjetri.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024