Komuna e Drenasit ka organizuar akademi mirënjohjeje për veteranët e Lëvizjes Kombëtare, Isë Elshani e Jahir Prenku. Për të dy këta u tha se kanë qenë veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare dhe se kanë kontribuar pa kursim për çlirimin e vendit. Kjo akademi falënderuese është organizuar nga shoqëria “Lëvizja” dhe Komuna e Drenasit.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se veprimtaria e tyre ka filluar qysh në vitin 1968 nga demonstrata e parë, ndërkaq me themelimin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, ata ishin aktivistë të shquar dhe kontribuues të lëvizjes deri në çlirim.
Ai tha se duke ndarë mirënjohje për veprën e Isës dhe Jahirit, nderohen personalitete besnike të organizimit të lëvizjes popullore nga mërgata.
“Isë Elshani dhe Jahir Prenku janë dy veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare dhe i takojnë radhëve të organizuara në perëndim para se të themelohet lëvizja popullore e Kosovës. Unë kam pasur rastin t’i njoh këta veprimtarë nga data 2 maj të 90-tës, bacën Isë dhe Jahën që kisha dëgjuar shumë për ta... dhe shumë veprimtarë të tjerë”, ka thënë Lladrovci.
“Baca Isë edhe baca Jahir Prenku me aktivitetet e tyre jo që kanë qenë zërat të respektuar në klubin “Emin Duraku” në Dyseldorf, jo vetëm veprimtarë të fondit “Vendlindja thërret”, por ata ishin veprimtarë të palodhur politik me dekada që nga vitet e 70-ta të shekullit 20. Për më tepër, baca Isë me vetëdije të plotë mori përgjegjësi të madhe duke ditur se mund të ketë pasoja për të, duke marrë përsipër përfaqësimin te organet zyrtare gjermane në emër të bashkësisë demokratike shqiptare që në fakt ishte nëndega e Lëvizjes Popullore të Kosovës për Gjermani”, ka thënë Bislimi.
Isë Elshani e Jahir Prenku janë dekoruar me mirënjohje nga Komuna e Drenasit.